Misioni i projektit

Investimi në arsimimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme dhe, në veçanti, në zhvillimin e kurrikulës, do të thotë të investosh në pasurinë e një kombi. Evidencat nga kërkimi akademik dhe përvojat nga vende të ndryshme tregojnë se planifikimi, krijimi dhe financimi i sistemeve gjithëpërfshirëse të ZhFH-së rezulton në:

•Përmirësimin e arritjeve arsimore dhe mënyrave të shëndetshme të jetesës

•Shtimin e vlerave kulturore dhe morale, dhe të pjesëmarrjes civile të qytetarëve

•Pakësimin e kriminalitetit dhe sjelljeve antisociale

•Mundësi të barabarta brenda një brezi dhe ndërmjet brezave

•Fuqizimin e grave

•Përmirësimin e burimeve njerëzore, fuqisë punëtore, produktivitetit dhe zhvillimit ekonomik

•Përmirësimin e kohezionit dhe drejtësisë sociale

Konsensusi i gjerë mbi rolin madhor të ZhFH-së në zhvillimin ekonomik dhe njerëzor ka mundësuar përfshirjen e saj në Agjendën 2030 të Kombeve të Bashkuara për Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Në shtator të vitit 2015, udhëheqësit botërorë miratuan Agjendën për Zhvillim të Qëndrueshëm, e cila përcakton 17 Objektiva të Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ) dhe 169 synime për t’u arritur deri në vitin 2030.

Objektivi i Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ) 4) përcakton se çdo fëmijë duhet të regjistrohet në të paktën një vit të arsimit parashkollor.

Ai përfshin padyshim edhe nocionin e cilësisë si kapacitet të arsimit parashkollor për të siguruar se fëmijët do të jenë në trajektoren e duhur të aspektit zhvillimor në lidhje me shkrimin dhe leximin dhe veprimet me numra, aftësitë fizike, zhvillimin socio-emocional dhe të nxënit.

Qëllimi i përgjithshëm i këtij veprimi për zbatimin e kurrikulës është mbështetja e zhvillimit të kornizës dhe kurrikulës cilësore gjithëpërfshirëse për arsimimin dhe kujdesin në fëmijërinë e hershme.

Arsimi parashkollor mbështet zakonisht të nxënit e hershëm të fëmijëve nga 3 deri në 6 vjeç. Arsimi parashkollor ka si objektiv përmirësimin e përdorimit të gjuhës dhe aftësive sociale nga fëmijët, përsosjen dhe kontekstualizimin e zhvillimit të aftësive logjike dhe arsyetuese, mbështetjen e aftësive të fëmijëve për t’u shprehur dhe për të krijuar, dhe prezantimin e koncepteve dhe kodeve alfabetike dhe matematikore.

Më tej, por si pjesë përbërëse e tij, objektivat përfshijnë: inkurajimin e fëmijëve për të eksploruar botën dhe mjedisin e tyre përreth, duke mbështetur kuriozitetet shkencore; mbikëqyrjen e aftësive të motorikës së madhe nëpërmjet lojërave dhe veprimtarive të tjera; nxitjen e ndërveprimeve shoqërore me bashkëmoshatarët; dhe zhvillimin e aftësive, autonomisë dhe gatishmërisë për shkollë. Arsimi parashkollor është një hap i nevojshëm për fëmijët, pasi është një mënyrë për të respektuar të drejtat e fëmijëve.

Cilësia e arsimimit të hershëm sigurohet nëpërmjet një kurrikule që përqendrohet te loja dhe përvojat, dhe nëpërmjet përcaktimit të qasjes së mësimdhënies/të nxënit për mësuesit dhe stafin në parashkollor. Mjetet e të nxënit duhet të mbështeten me infrastrukturën e duhur fizike, si dhe me organizim dhe afate kohore pragmatike. Përshtatshmëria e infrastrukturës dhe organizimi i programit sigurohen nëpërmjet standardeve që secili ofrues, publik ose privat, formal ose joformal, duhet të respektojë për të zbatuar me efektshmëri cilësinë në mjedise parashkollore.

Një nga faktorët më të rëndësishëm (ndoshta më i rëndësishmi) është cilësia e mësimdhënies dhe të nxënit. Duke pranuar interesin për sigurimin e personelit të kualifikuar për kujdesin në fëmijërinë e hershme, vëmendje mund t’i kushtohet edhe trajnimit para marrjes së detyrës dhe gjatë detyrës. Procesi që mbështet ky Manual ndjek pikërisht këtë drejtim.

Shpresa jonë është se ai do të krijojë procese të mëtejshme të zhvillimit të cilësisë për çdo fëmijë.

Projekti është aktiv në Elbasan (viti i parë), Fier (viti i dytë), Korçë (viti i dytë), Shkodër (viti i parë) dhe Tiranë (viti i tretë)